English version

Sot, më 5 maj, fondi IJ4EU hapi dy thirrje të reja për projekte ndërkufitare gazetarie investigative në vendet anëtare të BE-së, vendet kandidate për t’u anëtarësuar në BE dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Skema e Mbështetjes për Investigime e IJ4EU siguron grante midis 5,000 dhe 50,000 euro për projekte të reja ndërkufitare, përfshirë ato që kanë filluar së fundmi, si dhe fazat e mëtejshme të projekteve ekzistuese. Afati i fundit për aplikime është data 14 qershor. Një thirrje e dytë si pjesë e kësaj skeme pritet të hapet në gusht. Shikoni informacionin e plotë dhe një listë pyetjesh dhe përgjigjesh.

Nga ana tjetër, skema e Mbështetjes për Publikim do të ofrojë grante deri në 6,250 euro në mbështetje afatshkurtër për projekte ndërkufitare në vazhdim e sipër që kanë nevojë për fonde për të përfunduar ose publikuar historitë e tyre. Aplikimet do të merren në konsideratë duke filluar nga sot, 5 maj, deri më 18 shtator. Aplikuesit e përzgjedhur do të informohen mbi vendimin brenda katër javëve. Shikoni informacionin e plotë dhe një listë pyetjesh dhe përgjigjesh.

Në total, gjatë vitit 2020, fondi IJ4EU do të ofrojë 1 milion euro në grante të drejtpërdrejta për të mbështetur gazetarinë investigative ndërkufitare në interes të publikut. Rreth 800,000 euro do të shpërndahen përmes skemës së Mbështetjes për Investigime dhe 200,000 euro përmes skemës së Mbështetjes për Publikim. (Lexoni më shumë rreth fondit IJ4EU dhe arsyes pse ne jemi përkushtuar në mbështetjen e gazetarisë investigative.)

Thirrjet e para për vitin 2020 të IJ4EU janë hapur. Tani nevojiten projektet tuaja.

Kriteret e pranimit janë të njëjta për të dy skemat. Aplikimet duhet të dorëzohen nga ekipe me gazetarë nga të paktën dy shtete anëtare të BE-së ose të paktën një shtet anëtar i BE-së dhe një vend kandidat zyrtar. Gazetarët me bazë në Mbretërinë e Bashkuar do të konsiderohen njësoj si gazetarët me bazë në BE dhe për këtë arsye mund të aplikojnë për grantet e IJ4EU për vitin 2020. Për më tepër, projektet (qoftë të propozuar apo në vazhdim e sipër) duhet të përqendrohen në tema me rëndësisë ndërkufitare. Do të merren në konsideratë investigime mbi të gjitha temat.

Ekipet e gazetarëve në profesion të lirë, gazetarwve të punësuar dhe organizatave mediatike, ose një kombinim i këtyre, janë njësoj të mirëpritura të aplikojnë. Ekipet që punojnë në të gjitha llojet e mediave – përfshirë shtypin e shkruar, atë televiziv, mediat online, ata që merren me prodhimin e dokumentarëve dhe raportimin multimedial – do të merren në konsideratë. Projektet duhet të kenë për synim publikimin në të paktën dy vendet e përfshira.

Grantet e IJ4EU mund të përdoren për të mbuluar pothuajse çdo lloj kostoje të nevojshme për realizimin e artikullit. Kjo përfshin kostot e pagave dhe burimeve njerëzore si për gazetarët e punësuar ashtu edhe për gazetarët me profesion të lirë, kostot e hulumtimit, ato të përkthimit si edhe kostot administrative.

Detaje të plota në lidhje me të dy skemat e financimit dhe mënyrën e aplikimit, si dhe informacionet rreth projekteve të financuara në të kaluarën, mund të gjenden në faqen e internetit të IJ4EU. Lexoni pyetjet dhe përgjigjet tona rreth aplikimit.

Fondi IJ4EU është i përkushtuar të sigurojë mbështetje për gazetarinë investigative në një kohë të rëndësishme dhe sfiduese për gazetarinë dhe median. Gazetaria investigative mbetet po aq e rëndësishme sa ka qenë gjithmonë gjatë situatës aktuale lidhur me shëndetin publik.

Rreth IJ4EU

IJ4EU (Gazetaria Investigative për Europën) është një fond për të mbështetur gazetarinë investigative ndërkufitare. Ne ofrojmë grante për ekipe gazetarësh në Europë që hulumtojnë tema me interes publik.

Fondi IJ4EU menaxhohet nga një partneritet prej tre organizatash: Instituti Ndërkombëtar i Shtypit – International Press Institute (IPI), Qendra Europiane për Gazetari – European Journalism Centre (EJC) dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias – European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF). IPI drejton partneritetin dhe administron skemën e Mbështetjes për Investigime. EJC menaxhon skemën e Mbështetjes për Publikim. ECPMF do të shpallë një çmim të ri për gazetari investigative ndërkufitare në fund të verës.

Programi IJ4EU bashkë-financohet si veprim përgatitor nga Komisioni Europian (DG Connect), nga një grant i Fondacionit ‘Open Society Institute’ në bashkëpunim me programin për gazetari të pavarur të ‘Open Society Foundations’, dhe “Fritt Ord”. Programi është totalisht i pavarur nga donatorët në përzgjedhjen e projekteve dhe garanton rreptësisht pavarësinë editoriale të të gjithë përfituesve të granteve.

Grantet që i përkasin skemës së Mbështetjes për Investigime jepen nga një juri e pavarur. Projektet që i përksin skemës së Mbështetjes për Publikim përzgjidhen nga ekspertë të EJC-së, në mënyrë që të mundësohet përgjigja sa më e shpejtë dhe adeguate ndaj aplikimeve për projekte që janë në vazhdimësi. Lexoni më shumë rreth procesit dhe kritereve të përzgjedhjes.

Pyetje?

Ne inkurajojmë aplikantët e interesuar që të vizitojnë faqen e internetit të IJ4EU dhe listën tonë me pyetje dhe përgjigje. Nëse keni pyetje të tjera, ndihuni të lirë të na kontaktoni.

Kontaktet

Për pyetje të përgjithshme ose pyetje që kanë lidhje me skemën e Mbështetjes për Investigime: Scott Griffen, zv/drejtor i IPI ([email protected])

Për pyetje që kanë lidhje me skemën e Mbështetjes për Publikim: Zlatina Siderova, menaxhere projekti pranë EJC ([email protected]). 

web: KontraBit